Ezgon Belica rikthehet në futbollin vendor, për të veshur sërish fanellën e Rabotniçkit

Egzon Belica pas plotë 9 viteve rikthehet të luaj sërish në futbollin vendor, njofton “infOSport.mk”. Mbrojtësi strugan, i cili së fundmi ishte pjesë e Prishtinës në Superligën e Kosovës, ka pranuar të veshë sërish fanellën e Rabotniçkit, për të cilën skuadër kishte luajtur sezonin 2010/11.

Belica me “romantikët” nga Parku i Qytetit ka nënshkruar kontratë për dy vite, ndërsa i njëjti vjen te kjo skuadër për suksese të reja.

Atë kohë (21 vjeç) edhe pse i ri në moshë, i njëjti me Rabotniçkin kishte patur mundësinë të luaj edhe në Europë, ndërsa me siguri se nuk i haron asnjëherë ato ndeshje ndaj gjigandëve anglez të Liverpullit.

“Kam kujtime të mira nga Rabotniçki. Atë kohë si një lojtar i ri që ende po tregoja vlerat, pata një mundësi të mirë që të luaja në ndeshjet europiane kundër një skuadre gjigande si Liverpulli. Tani jam sërish këtu, dhe mund të them se kam ardhur për suksese të reja” – shprehet Belica.

Ndryshe Belica nga futbolli vendor ishte larguar verën e vitit 2014-të, kur nga Shkëndija vazhdoi karrierën në Finlandë te skuadra e FC Inter, për të luajtur më pas edhe në Letoni me skuadrën e Riga, në Shqipëri me Partizanin dhe në Kosovë së fundmi me Prishtinën.

Në futbollin vendor, Belica kishte luajtur edhe me Ohrid Lihnidos, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe me grupmoshat e reja të Besës së Kavajës, duke arritur që të debutojë edhe me ekipin e parë.

Belica në futbollin elitar numëron 54 ndeshje, ndërsa më së shumti ndeshje ka të zhvilluara në Superligën shqiptare, gjithsej 150, që të gjitha me Partizanin, me të cilën skuadër kishte luajtur edhe në garat europiane, ndërsa gjithashtu kishte fituar edhe titullin kampion si dhe SuperKupën e Shqipërisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply