Riaktivizohen ish-futbollistët e njohur, Muzafer Ejupi dhe Bujamin Asani, do  luajnë për KF Studeniçanin

Ish-futbollistët e mirënjohur, Muzafer Ejupi dhe Bujamin Asani kanë vendosur që të kthehen në terrenet e futbollit dhe të ndihmojnë klubin e tyre të fshatit- KF Studeniçani në realizimin e ambicieve të tyre për ta ngjitur në Ligën e Tretë-Veri, shkruan Open-TV.

Ejupi e përfundoi karrierën e tij futbollistike në vitin 2019, në moshën 31-vjecare, si lojtar i Slaven Belupos nga Kroacia, për shkaqe shëndetësore. Ejupi për Slaven Belupon luajti në 70 ndeshje, duke shënuar 25 gola.

Ndërsa, Bujamin Asani e mbylli karrierën e tij në vitin 2021, duke qenë lojtar i FC Ferizaji.

Megjithatë, tani edhe kur janë të dy në moshën 35-vjecare i janë kthyer fushës së futbollit si lojtar të KF Studeniçani (Bujamin Asani është edhe trajner i ekipit), që bën gara në Ligën komunale të Gazi Babës së Shkupit. Kjo Ligë starton javën e ardhshme, ndërsa përbëhet nga 9 skuadra.

KF Studeniçani bashkë me FC Cool janë konkurrentët për vendin e parë që çon në barazh për një rang më të lartë garash. “Muza” dhe “Buja” kanë debutuar në ndeshjen miqësore kundër Fortunës nga Hasanbegu.

Gjatë karrierës së tij, Ejupi ka luajtur edhe për skuadrat si: Vardar, Shkëndija, Metalurg, Turnovo, Skënderbeu, Osijek, Songhla, Kartalspor. Ejupi ka qenë edhe pjesë e U21 dhe përfaqësuesës A të Maqedonisë.

Kurse, Bujamin Asani në karrierën e tij të gjatë sportive luajti për Shkupin, Rabotnickin, Skopjen, Pobedën e Prilepit, ndërsa ka ndërtuar karrierë edhe jashtë vendit duke luajtur për Kapaz PFK dhe UTA Arad. (Open-TV)

Leave a Reply