Shqipëria ngjitet tre vende në renditjen e FIFA-s për muajin shtator

Kombëtarja shqiptare arriti dy suksese shumë të rëndësishme në dy ndeshjet e muajit shtator, duke barazuar me Çekinë në transfertë (1:1) dhe duke mposhtur më pas Poloninë në “Air Albania” (2:0), takime të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.

Katër pikë shumë të rëndësishme për “kuqezinjtë” e Silvinjos, të cilët renditen tashmë në krye të grupit “E” me 10 pikë në total pas 5 ndeshjeve.

Falë këtyre dy rezultateve pozitive, Kombëtarja shqiptare ka arritur të fitojë tre pozicione në renditjen e re të FIFA-s për muajin shtator. Kombëtarja shqiptare renditet tashmë në pozitën e 62-të në klasifikimin e FIFA-s, me mbi 20 pikë më shumë krahasuar me renditjen në muajin korrik.

Ky është një lajm shumë i mirë dhe motivues për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo, të cilët do të rikthehen sërish në fushë në muajin tetor, ku do të luajnë edhe një nga takimet më të rëndësishme të grupit “E”, atë ndaj Çekisë më 12 tetor, ndërsa pesë ditë më vonë do të luajnë një ndeshje miqësore me Bullgarinë në stadiumin “Air Albania”.

Në krye të renditjes, nuk ka ndryshime me Argjentinën e Lionel Messit që prinë para Francës dhe Brazilit, ndërkohë sa u përket kombëtareve nga Ballkani, më mirë e ranguar është Kroacia, që renditet në vendin e 5-të, pastaj Serbia në vendin 28, Rumania (47), Greqia (51), Sllovenia (59), Shqipëria (62), Bosnje e Hercegovina (63), Mali i Zi (68), Bullgaria (78) dhe Kosova (111).

Leave a Reply