Çurlinov: Kundër Skocisë dhe Sllovenisë besojmë në rezultate pozitive

Përfaqësuesja e Maqedonisë zhvilloi stërvitjen e sotme para dy ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. Të përzgjedhurit e seleksionuesit Goce Sedloski do të përballen fillimisht si mysafirë kundër Skocisë në Gllazgou, që më pas në Shkup të përballen me Slloveninë. Lidhur me pritshmëritë nga këto dy ndeshje, nga tabori i ekipit përfaqësues futbollistik, ka folur sulmuesi Darko Çurlinov, që rikthehet në skuadër pas mungesës në ndeshjet e tetorit në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Gjithmonë ka qenë nder për mua të luaj për këtë fanellë dhe gjithmonë do të jap maksimumin. Shpresojmë për më të mirën. Natyrisht, do të analizojmë dhe do të përpiqemi të zbatojmë në fushë gjithçka që do të na thotë trajneri“, – theksoi Çurlinov.

Futbollisti i krahëve të sulmit, konsideron se minutazhi i mirë që reprezentuesit kanë në klubet e tyre mund të jetë një faktor i rëndësishëm në sfidat e ardhshme.

“Minutazhi në klub është shumë i rëndësishëm dhe ajo energji përcillet edhe këtu. Është mirë që të gjithë luajmë në klubet tona, që kemi minutazh, dhe besoj se kjo do të ketë ndikim pozitiv në këto dy ndeshje“, – shtoi reprezentuesi i Maqedonisë.

Futbollisti i skuadrës së njohur polake të Pogon Szczecin, beson se Maqedonia ka cilësi për të konkurruar me çdo kundërshtar, pavarësisht emrave dhe potencialit individual të palës kundërshtare.

“Skocia i ka McTominay, Gilmour, Robertson, ndërsa ne i kemi Elif Elmas, Bardin dhe Stole Dimitrievskin. Sot nuk ka përfaqësuese që nuk mund të mposhtet, kështu që këtë duhet ta tregojmë në fushë“, – porositi Çurlinovi.

Maqedonia të premten do të luajë si mysafire ndaj Skocisë në Gllazgou, ndërsa tre ditë më vonë, në terren vendas, do ta presë Slloveninë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën B të Kombeve.

 

Leave a Reply