Malik Amza, talenti shkupjan që po shkëlqen te KF Forca, gjenerata 2012 

Futbolli është një pasion i cili zhvillohet që në moshë të vogël. Shumë klube të futbollit në vendin tonë po ju mundësojnë fëmijëve të përjetojnë pasionin e tyre, të mbikëqyrur nga trajnerë të licensuar në mënyrë që të garantojmë progresin e tyre dhe mirëqënien e tyre.

Një nga talentët që po zhvillohet në shkollat e futbollit në vendin tonë, është edhe Malik Amza, që aktualisht është pjesë e KF Forca nga Aerodromi, shkruan “infOSport.mk”.

Amza luan në të dy krahët e sulmit, ndërsa paraqitjet e tij të shkëlqyeshme, kontrolli i topit, asistetet e tij, bënë që i njëjti të tërheq vëmendjen e organizatorëve të turneut “KRONOS CUP”, që javën e kaluar u mbajt në Plovdiv të Bullgarisë.

Amza me ekipin e tij, gjenerata 2012, shkëlqyen në këtë turne, duke dalë fitues, pasi në finalen e madhe mundën ekipin bullgar të Koprivlen.

1:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi, në të cilin Amza luajti rolin e asistuesit.

“Ishte një ndeshje shumë e fortë, një ndeshje ku luftuam shumë dhe në fund i’a arritëm qëllimit që të dalim fitues dhe të fitojmë edhe këtë turne, që është i treti brenda këtij viti” – tha fillimisht Malik Amza, i cili shkëlqente edhe në turnetë “Cool Cup” dhe “Fusha e Shkupit”, në të cilat gjenerata U12 e KF Forca, e udhëhequr nga Jordanço Xhipunov, kishte ngritur lartë trofeun e më të mirit.

“Po, e vërtetë është se ishim më të mirët edhe në ato dy turne të zhvilluara në Shkup, ku dolëm fitues asbolut. Jemi një gjeneratë shumë e mirë, ndaj dhe besojmë se mund të përsërisim sukseset e këtij viti edhe vitin e ardhshëm. Me punë arrihet gjithçka, ndaj dhe falënderojë edhe trajnerin Jordanço Xhipunov për punën dhe përkushtimin që ka ndaj nesh” – thotë Malik Amza, i cili pjesë e KF Forca është nga ky vit, derisa më herët ishte pjesë e FC Shkupit.

Në turneun “KRONOS CUP”, në Plovdiv të Bullgarisë morrën pjesë plotë 16 skuadra, edhe atë nga Sllovenia, Serbia, Maqedonia dhe Rumania.

Pikërisht skuadra rumune e FC Vitorul Arad fitoi vendin e tretë, duke mundur në finalen e vogël skuadrën bullgare të Sinite Kamuni nga Trakia.

Leave a Reply