Lamallari flet si futbollistë i ri i Besës së Dobërdollit

Arsim Lamallari sot edhe zyrtarisht u prezantua te skuadra e tij e re, Besa e Dobërdollit. Edhe pse nuk munguan ofertat edhe nga skuadra të Ligës së Parë, Arsimi zgjodhi Besën e Dobërdollit, drejtuesit e së cilës skuadër i kishin ofruar kushte shumë të mira.

“Edhe përkundër ofertave që kisha nga skuadra të tjera, përfshirë këtu edhe të Ligës së Parë, ajo që më shtyu të nënshkruaj me Besën e Dobërdollit, ishin kushtet që mi ofruan, por edhe ambiciet e kësaj skuadre, që punon për të ndërtuar një skuadër stabile për në Ligën e Parë” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Arsim Lamallari, i cili falënderoi drejtuesit e klubit nga Dobërdolli për besimin e dhënë.

“Sinqerisht jam shumë mirënjohës për besimin e drejtuesve të skuadrës së Besës. Shpresoj që t’ua kthej me lojra të mira në stinorin pranveror në Ligën e Dytë, aty ku besoj se nuk do ta diskutojmë vendin e parë dhe se në fund të sezonit gjithë së bashku do të shkruajmë histori dhe do ti gëzohemi inkuadrimit në mesin e më të mirëve në futbollin vendor” – përfundoi Lamallari, i cili së fundmi ishte pjesë e Sileksit.

Shkupjani te skuadra nga Kratova kaloi dy vite e gjysmë, mirëpo pasi i skadoi kontrata ai nuk deshi që ta vazhdojë të njëjtën, duke kërkuar një sfidë të re në karrierën e tij.

Lamallari në futbollin tonë vendor ka veshur edhe fanellën e Skopjes dhe EuroMilk, ndërsa gjithashtu kishte patur një aventurë edhe në futbollin turk.

Me skuadrën e Besës së Dobërdollit, Arsim Lamallari ka nënshkruar kontratë për dy vite e gjysmë. (infOSport.mk)

Leave a Reply