Ekskluzive, shkupjani Omer Sulejmani bashkohet me Dukagjinin e Armend Dallkut!

Merkatoja e janarit vazhdon të sjellë transferime të njëpasnjëshme, teksa siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk”, talenti shkupjan, Omer Sulejmani, karrierën e tij profesionale do ta vazhdojë në elitën e futbollit kosovar, te skuadra e Dukagjinit, që udhëhiqet nga ish reprezentuesi i Kombëtares shqiptare, Armend Dallku.

Sulejmani i është bashkuar kësaj skuadre që nga dita e parë në Antalia të Turqisë, aty ku Dukagjini po zhvillon fazën kryesore të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror.

Sulejmani luan si mesfushor qendre, por edhe si sulmues krahu, ndërsa angazhimi i tij, por mbi të gjitha edhe cilësitë që posedon ky futbollistë, kanë bindur drejtuesit e skuadrës së Dukagjinit.

Kështu thonë informacionet tona, teksa prezantimi i tij pritet të ndodhë ditëve në vijim.

Ndryshe Omer Sulejmani është një fëmijë i FC Shkupit, i cili 6 muajt e fundit i kaloi te skuadra e Skopjes, ndërsa gjithashtu ka luajtur me ekipet zinxhir të përfaqësueses së Maqedonisë, U16, u17 dhe U18.

18-vjeçari Sulejmani numëron edhe dy paraqitje në elitën e futbollit të Maqedonisë, aty ku kishte debutuar shtatorin e vitit 2023 në ndeshjen kundër Pobedës nga Prilepi. (infOSport.mk)

Leave a Reply