Prezantim ikonik i Arturo Vidal nga klubi amë Kolo-Kolo (VIDEO)

Arturo Vidal ka bërë një rikthim ikonik tek klubi i tij i fëmijërisë, Kolo-Kolo. 36-vjeçari u lirua nga Atletiko Paranaense pas përfundimit të sezonit 2023 dhe tashmë do të vijojë karrierën në vendlidnjen e tij, në Kili.

Legjenda e futbollit kilian bëri gjithsej 56 paraqitje për Kolo-Kolo përpara se të bashkohej me Bajer Leverkusen në vitin 2007, kur “farmaceutët” kishin paguar plotë 5.2 milionë euro.

Pas 16 vitesh e gjysmë, Vidal rikthehet sërish, këtë herë para një stadiumi të mbushur.

Ish-ylli i Juventusit, Bajernit dhe Barcelonës mbërriti në stadiumin “Monumental” me një helikopter, ndërsa më pas hipi mbi një kalë, me një kurorë në kokë dhe një shpatë në dorë.

Ai nisi menjëherë të përshëndeste tifozët që ishin mbledhur për ta pritur, ndërsa nuk munguan edhe emocionet si në mesin e tifozëve, ashtu edhe tek vetë Vidal, i cili në disa raste nuk mund ti mbante lotët.

Leave a Reply