Kapiteni i përfaqësueses futbollistike të Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur pas fitores 1:0 ndaj Irlandës në “Fadil Vokrri”, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe mbështetjen e tifozëve.
Muriqi, i cili shënoi golin e fitores në minutën e 83-të, tha se tre pikët ishin shumë të rëndësishme për nisjen e ciklit të ri në Ligën e Kombeve.
“I kemi ditur pikët e dobëta të Irlandës. Kemi pasur kontrollin e lojës, kemi pasur shumë raste, sidomos në pjesën e parë. Por me rëndësi është fitorja. E përgëzoj ekipin, stafin e Kombëtares dhe tifozët, të cilëve u lumtë goja për përkrahjen e madhe”, – ka thënë Vedat Muriqi.
Sulmuesi kosovar më pas e ka lidhur fitoren me zhvillimet e fundit në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Këtë fitore ua dedikojmë çlirimtarëve dhe krerëve të UÇK-së”, – ka deklaruar ai.
Muriqi ka theksuar se forca kryesore e përfaqësueses së Kosovës është grupi dhe bashkëpunimi mes futbollistëve.
“U kam thënë bashkëlojtarëve se kur luajmë për njëri-tjetrin, suksesi vjen vetë. Sot ishte e rëndësishme fitorja, nuk kishte rëndësi se kush shënon. Por mua gjithmonë më jep më shumë kënaqësi goli për Kombëtaren sesa për klubin. Fitoren e kemi merituar si ekip, jo si Vedat, por si ekip”, – u shpreh Vedat Muriqi, i cili ndodhet në formë të jashtëzakonshme, ndërsa më së miri këtë e konfirmoi me golin e shënuar ndaj Irlandës, duke ruajtur vazhdimësinë e golave, pas atyre 4 golave fundjavën që lamë pas me fanellën e Fenerbahçes në Superligën turke kundër Eyupspor.
