Foda i kënaqur me fitoren ndaj Irlandës: Mbrojtja ishte perfekte, në Austri pres përkrahjen e shqiptarëve

Seleksionuesi i përfaqësueses futbollistike të Kosovës, Franco Foda, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e “Dardanëve” dhe fitoren e arritur ndaj Irlandës në ndeshjen e parë të ciklit të ri të garave në Ligën e Kombeve, e ku Kosova për herë të parë po garon në kuadër të Ligës “B”.

Falë golit të shënuar nga kapiteni Vedat Muriqi, Kosova mundi Irlandën me rezultatin minimal 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Tekniku gjerman vlerësoi veçanërisht organizimin defanziv të skuadrës, duke theksuar se Irlanda nuk arriti të krijojë raste të rrezikshme gjatë ndeshjes.

“Sot më pëlqeu shumë reparti defensiv. Irlandezët nuk krijuan asnjë mundësi. Më pëlqeu qetësia e skuadrës, sidomos pas pjesës së parë, kur u thashë lojtarëve të qëndronin të qetë, sepse goli do të vinte”, – u shpreh Foda në Konferencën për shtyp të organizuar pas ndeshjes.

Ai ishte i kënaqur edhe me paraqitjen e lojtarëve të krahut, përfshirë Edon Zhegrovën, i cili luajti rreth 70 minuta pas një periudhe të gjatë pa minuta në këmbë.

“Jam i kënaqur edhe me krahët. Edhe me Zhegrovën, i cili luajti 70 minuta, pasi kishte kohë pa luajtur. Me Batonin po ashtu jam i kënaqur. Leoni dhe Veldini bënë një punë të mirë në mesfushë, pasi kishin role të ndryshme. Leoni kishte rol defensiv, ndërsa Veldini ofensiv. Nuk lejuan hapësira dhe ky ishte edhe plani ynë”, – theksoi Foda.

Kosova të dielën do të përballet me Austrinë në Vjenë, në ndeshjen e radhës të Ligës së Kombeve. Trajneri Foda pret një përballje dukshëm më të vështirë për Kosovën, duke vlerësuar se Austria ka një stil loje më të shpejtë.

“Ndaj Austrisë do të jetë një ndeshje tjetër. Sot e kishim pak më të lehtë, ndërsa Austria luan më shpejt. Kundër Irlandës kishim detyrë t’i ndalnim topat e gjatë”, – deklaroi Foda.

Përzgjedhësi i Kosovës e njeh mirë futbollin austriak, pasi më herët ka qenë trajner i Kombëtares së Austrisë, me të cilën mori pjesë në Kampionatin Evropian të vitit 2020.

Megjithatë, Foda theksoi se skuadra austriake ka ndryshuar dhe se fokusi tani është përgatitja për sfidën e së dielës, ku njëherit pret edhe përkrahjen e tifozëve shqiptarë.

“Isha trajner i Austrisë, por skuadra ka ndryshuar. Këto ditë do të shohim dhe do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen ndaj Austrisë. Besoj se edhe në Vjenë do ta kemi mbështetjen e shqiptarëve, të cilët janë në numër të madh”, – përfundoi Foda, i cili mbrëmë Kosovën e udhëhoqi për herë të 24-të, duke regjistruar fitoren numër 15-të.

Leave a Reply