Kosova në TOP 10 kombëtaret më të mira bazuar në performancën e vitit 2025

Kosova renditet në TOP10-shen e Kombëtareve me performancën më të mirë në botë për vitin 2025, sipas “Transfermarkt”.

Kjo pozitë vjen si rezultat i një forme të jashtëzakonshme që “Dardanët” po kalojnë në muajt e fundit.

Në 7 ndeshjet e fundit, Kosova ka regjistruar 5 fitore, 1 barazim dhe 1 disfatë, duke dëshmuar vazhdimësi dhe stabilitet në paraqitje.

“Dardanët” kanë triumfuar dy herë ndaj Islandës në ndeshjet e play-off të Ligës së Kombeve, më pastaj kanë fituar miqësoret ndaj Armenisë dhe Komoreve, si dhe ka mposhtur Suedinë në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.

Përfaqësuesja futbollistike e Kosovës mbrëmë barazoi pa gola me Slloveninë në një ndeshje të fortë në “Fadil Vokrri”, ndërsa disfatën e vetme brenda këtij viti e ka pësuar nga Zvicra, një skuadër kjo që ndodhet në formë të shkëlqyer, ndërsa këtë më së miri e dëshmoi edhe mbrëmë me fitoren 2:0 ndaj Suedisë në transfertë.

Pa dyshim se forma e mirë e ekipit të drejtuar nga Franco Foda po sjell optimizëm të madh, duke rritur besimin se Kosova mund ta sigurojë pozitën e dytë në grup dhe pjesëmarrjen në ndeshjet e “play-off” për kualifikim në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Leave a Reply