Struga Trim Lum mund FC Shkupin dhe rikthehet në krye të renditjes para Vardarit!

Struga Trim Lum shënoi fitore 2:1 në përballjen ndaj FC Shkupit, duke u rikthyer në krye të tabelës së klasifikimit para Vardarit, skuadër kjo që ndeshjen e xhiros së 10-të do ta zhvillojë nesër kundër Sileksit në Shkup, njofton “infOSport.mk”

Ndeshja e sotme midis FC Shkupit dhe Struga Trim Lum u zhvillua në Strugë, kjo për shkak suspendimit të terrenit në Çair.

Struga Trim Lum kaloi në epërsi në minutën e 24-të, falë golit të shënuar nga Compaore, kur mjaft mirë në zonë u shërbye nga Arbi Vosha. Comapore pati edhe një mundësi tjetër të artë në minutën e 34-të, mirëpo këtë herë traverza i mohoi golin, ashtu që në pushim u shkua me epërsinë minimale të Struga Trim Lum (1:0).

Pjesa e dytë nuk nisi mirë për ekipin strugan, pasi në minutën e 56, FC Shkupi pas një penaltie të shqyrtuar edhe me sistemin VAR, përfitoi një penalti, të cilën më pas në gol e shndërroi kapiteni i “bardhebluve”, Suhel Muharemi.

Përveç kësaj, FC Shkupi do të përfitonte edhe numerikisht në fushë, pasi arbitri kryesor Bllagojçe Rallevski, do të vlerësonte se dueli i Lasana Diako me futbollistin e FC Shkupit Spahiu, ishte për karton të kuq për futbollistin e vendasve, që përveç golit të pranuar, minutat në vijim duheshe ti zhvillojnë me një futbollistë më pak në fushë.

Megjithatë, kjo nuk pengoi skuadrën strugane që edhe përkundër disavantazhit numerik, luajti më mirë, kërkonte me ngulm golin e fitores, që erdhi në minutën e 74-të, kur Compaore përmes penaltisë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e portierit Grote.

Në fund fitore minimale 2:1 për Struga Trim Lum, që e rikthen këtë skuadër në krye të tabelës së klasifikimit. (infOSport.mk)

Leave a Reply