Shkëndija fiton derbin shqiptarë, gara për titull bëhet më interesante! (VIDEO)

Starti i stinorit pranveror nuk doli të jetë pozitiv për skuadrën e Struga Trim Lum. Pas më shumë se dy vitesh kjo skuadër u dorëzua përballë Shkëndijës së Tetovës, skuadër kjo që në fund shënoi fitore me shifrat 2:0, njofton “infOSport.mk”.

Që të dy golat Shkëndija i shënoi në çerekun e fundit të ndeshjes, duke regjistruar fitoren e 5-të në ndeshjet kampionale përballë Struga Trim Lum, që në anën tjetër numëron 8 fitore, derisa 6 ndeshje ishin mbyllur me barazime.

Fillimi i ndeshjes që u zhvillua në Tetovë, nuk paralajmëroi një fund të tillë, pasi në fushë luhej një ndeshje e barabartë dhe mbi të gjitha shumë e luftuar. Në saje të një loje të tillë, munguan rastet nga të dyja anët.

Struga Trim Lum pavarësisht posedimit të topit në 20 minutat e para, kur edhe ekzekutuan 5 goditje nga këndi, nuk arriti që të rrezikojë në asnjë rast portën e Shkëndijës, skuadër kjo që fare në fund të pjesës së parë u kanos përmes dy ndërprerjeve nga këndi.

Megjithatë falë një intervenimi të shkëlqyeshëm të portierit Marco Angeletti, që ndali goditjen me kokë të Besart Ibraimit, skuadrat në pushim shkuan me rrjeta të paprekura.

Ashtu ishte deri në minutën e 79-të, kur Shkëndija shënoi golin e parë përmes rezervistit Sebastian Spahiu.

Ky i fundit në minutën e 88-të asistoi edhe në golin e dytë, të cilin e realizoi Fahd Ndzengue. Ishte kjo ndeshja debutuese për ish sulmuesin e AP Brera, që këtë gjatë merkatos së janarit iu bashkua skuadrës tetovare.

Me këtë fitore, Shkëndija e Tetovës ka shkurtuar në vetëm dy pikë diferencën me Struga Trim Lum, që vazhdon të mbajë pozitën e dytë në renditje me 41 pikë. Në vendin e parë vazhdon të qëndrojë Vardari me 42 pikë dhe një ndeshje më pak, atë kundër KF Arsimit nesër. (infOSport.mk)

Leave a Reply