FC Besa Saraj e ka nisur me këmbë të mbarë stinorin pranveror në Ligën e Tretë – Veri, duke mundur që në start një ndër skuadrat më të organizuara në këtë ligë, GFK Kumanovo, shkruan “infOSport.mk”.
3:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi të zhvilluar në Saraj, aty ku të pranishmit u kënaqën me performancën e treguar nga ana e futbollistëve të tyre.
Golat erdhën nga dy përforcimet e merkatos së janarit, Amar Mustafa dhe Shuajb Aliti, i cili këtë ndeshje e mbylli me dy gola të shënuar.
Kjo fitore ka kënaqur edhe zv.Kryetarin e klubit, Garip Cana, i cili ka shfrytëzuar rastin të falënderojë të gjithë ata që e përkrahën klubin financiarisht, por edhe gjithë tifozët dhe qytetarët e kësaj Komune.
“Sot ishte një ditë e veçantë për klubin tonë. Debutimi ynë në fillimin e gjysmësezonit të dytë të Ligës së Tretë – Veri nuk ishte vetëm një ndeshje futbolli, por edhe një dëshmi e forcës së përbashkët që kemi ndërtuar së bashku. Fitorja e sotme është një shenjë e bukur dhe shpresëdhënëse se rruga që kemi nisur është e drejtë dhe se besimi që keni treguar ndaj nesh nuk do të zhgënjehet.
Në emrin tim personal dhe si nënkryetar i klubit, dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra të gjithë ju që deri më sot keni qenë pranë nesh, përkrahësit tanë financiarë, tifozët besnikë dhe të gjithë qytetarët dashamirë të futbollit që na keni mbështetur moralisht. Kontributi juaj nuk është vetëm ndihmë për një klub futbolli; ai është investim në të ardhmen tonë të përbashkët, në rininë tonë dhe në krenarinë e komunitetit tonë shqiptar në komunën tonë të dashur.
Mos harroni, pa ju ne nuk mundemi. Çdo mbështetje, çdo fjalë e mirë dhe çdo kontribut i juaji është forcë shtesë për ne në fushë dhe jashtë saj. Ju premtojmë se do të punojmë me përkushtim, që ta përfaqësojmë këtë klub dhe këtë komunitet me nder, duke ju bërë gjithmonë të ndiheni krenarë që jeni pjesë e kësaj rruge me ne.
Nga zemra, ju faleminderit të gjithëve për përkrahjen tuaj masive , financiare dhe morale. Së bashku do të vazhdojmë përpara. 🙏⚽❤️🇦🇱” – kishte shkruar në profilin e tij në facebook, Garip Cana.
Pas kësaj fitore, FC Besa Saraj tashmë numëron 14 pikë dhe aktualisht renditet në pozitën e 10-të, kjo pasi KF Studeniçani pësoi disfatë në ndeshjen kundër liderit, Euromilk.
Ndeshjen e rradhës FC Besa Saraj do ta zhvillojë kundër KF Llopati në Kumanovë. (infOSport.mk)

