Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll sot edhe zyrtarisht ka nisur përgatitjet për ndeshjen e “play-off” kundër Danimarkës, e vlefshme për Kampionatin Botëror të këtij viti që për herë të parë në histori do të mbahet në tre shtete të ndryshme, SHBA-Kanada-Meksikë, njofton “infOSport.mk”.
Nën drejtimin e trajnerit të ri Goce Sedlloski, përfaqësuesja futbollistike e vendit në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski” kreu stërvitjen e parë, në të cilën munguan disa nga futbollistët e ftuar, që ekipit pritet ti bashkohen gjatë orëve të mbrëmjes.
Në mesin e futbollistëve që dolën në stërvitje, ishin edhe dy debutueist, Sebastian Herera, që aktualisht luan në Bosnje e Hercegovinë me skuadrën e Borac Banja Luka dhe Imran Fetai i Shkëndijës, që erdhi bashkë me bashkëlojtarin e tij, Reshat Ramadani.
Në prag të takimit me Danimarkën, foli Sebastian Herera. Kolumbiani i naturalizuar tha se ekipi duhet të jetë maksimalisht i motivuar për këtë ndeshje shumë të rëndësishme që në program është me datë 26 mars në Kopenhagë.
“Për mua kjo është gjëja më e madhe që mund të më ndodhte në karrierën time, të veshë fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë. Vërtetë është një nder i madh për mua që jam këtu. Do të jap gjitihçka nga vetja për të ndihmuar ekipin. Një gjë e tillë doja që të ndodhte, pasi e prisja dhe e ëndërroja një kohë të gjatë, ndërsa tani që erdhi momenti, mund të them se jam shumë i lumtur. Me padurim pres që të fillojmë. Është shumë me rëndësi të funksionojmë si skuadër që të gjithë. E di që në pozicionin tim është Alioski, që ka përvojë shumë të madhe dhe është për disa vite në përfaqësuese. Kjo për mua është një motivim shtesë. Na pret një ndeshje shumë e rëndë. Danimarka është një skuadër shumë e fortë, mirëpo neve duhet të fokusohemi tek vetëvetja. Besoj se gjasat janë 50-50, ashtu që gjithça varet nga ne. Jemi maksimalisht të motivuar, ashtu që shpresoj në një rezultat pozitiv, pse jo edhe një kualifikim në finale” – u shpreh Sebastian Herera.
