Struga Trim Lum rikthehet me fitore nga qyteti i Alfabetit shqip! Rikthehet fuqishëm në garë për titulllin e kampionit (VIDEO)

Ka vazhduar tradita pozitive e Struga Trim Lum në ndeshjet ndaj Pelisterit në Manastir, aty ku kjo skuadër nuk dinë për disfatë në ndeshjet e Ligës së Parë. Në takimin e vlefshëm të javës së 24-të, Struga Trim Lum shënoi fitore 2:0, duke u rikthyer në garë për titullin e kampionit.

Golin e parë për Struga Trim Lum e realizoi Marjan Radeski në minutën e fundit të pjesës së parë, kur mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Arbi Voshë dhe me kokë shënoi për 1:0.

Ishte ky goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para, ku skuadra strugane kishte dominim të plotë, duke mos i lejuar vendasit për të ardhur në shprehje.

Pjesa e dytë doli të jetë më interesante, kjo pasi në disa raste edhe Pelisteri rrezikoi portën strugane, aty ku i pamposhtur doli të jetë italiani Marko Angeletti me disa intervenime të shkëlqyeshme, derisa nuk munguan rastet edhe në anën tjetër, me ekipin strugan që arriti të shënojë edhe golin e dytë në minutën e 87-të me anë të Hristijan Maleskit.

Vlen të theksohet se në pjesën e dytë, pas rishikimit dhe konsultimit me dhomën VAR, u anuluan dy gola, nga një për secilën skuadër.

Fillimisht arbitri Vlatko Ilijoski anuloi golin e kapitenit të vendasve Mirko Ivanovski për shkak pozitës jashtëloje, derisa në minutën e 79-të, anuloi golin e Bassirou Compaore të Struga Trim Lum, për shkak se sulmuesi nga Burkina Faso para se të shënonte kishte shkaktuar ndërhyrje të palejuar ndaj Stefan Spirovskit.

Pavarësisht këtij goli të anuluar, Struga Trim Lum në fund i’a arriti qëllimit për të fituar takimin në Manastir, duke regjistruar fitoren e 8-të në 10 ndeshjet e fundit ndaj Pelisterit.

Me këtë fitore, Struga Trim Lum arrinë në kuotën e 53-pikëve, duke u rikthyer sërish në garë për titullin kampion, kjo pasi dy skuadrat kryesuese në renditje, Vardari dhe Shkëndija kanë nga 58 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply