FC Shkupi sot në rolin e nikoqirit në Kumanovë në këto momente po zhvillon ndeshjen e fundit të javës së 24-të kundër Bashkimit. Edhe pse këta të fundit ishin favorit absolut para fillimit të këtij takimi, gjërat që po ndodhin në fushën e blertë, po tregojnë të kundërtën.
FC Shkupi po avanson me shifrat 2:0, kjo falë një super starti që kishin djemoshat e rinj “bardhekaltër” në pjesën e dytë.
Fillimisht falë golit të shënuar nga Altin Ziberi në minutën e 49-të, FC Shkupi avansoi me shifrat 1:0, duke shënuar golin e parë në stinorin pranveror, ndërsa vetëm dy minuta më pas, një super gol i Sudejs Çajanit, bëri që skuadra shkupjane të shënojë edhe golin e dytë, duke paralajmëruar një nga befasitë më të këndshme të kësaj xhiroje dhe përgjithësi të stinorit pranveror.
Ndryshe, vlen të theksohet se me golin e Ziberit, FC Shkupi i dha fund agjërimit prej 684 minutave pa gol të shënuar.
Për herë të fundit, FC Shkupi kishte shënuar në stinorin vjeshtorë, edhe atë në xhiron e fundit, atë të javës së 16-të kundër AP Brera në transfertë, kur Erion Shuku shënonte në minutën e 85-të. Që nga ajo ndeshje, FC Shkupi nuk shënonte në 7 ndeshje rradhazi, duke pranuar në anën tjetër 28 gola.
Golat e sotëm ndaj Bashkimit ishin të parët e stinorit pranveror, ndërsa mbetet të shihet nëse FC Shkupi më në fund do të regjistrojë edhe fitoren e parë në sezonin 2025/26. (infOSport.mk)
