Hamza: Respektojmë Rabotniçkin, por shpresojmë të vazhdojmë rrugëtimin tonë pozitiv!

Me pushimin ndërkombëtar të përfunduar, FC Struga Trim Lum vazhdon fushatën e saj kampionale me ndeshjen kundër Rabotniçkit në shtëpi. Në prag të këtij takimi, që në program është të dielën, nga tabori i struganëve ka folur mesfushori Memetriza Hamza, që për disa ditë ishte pjesë e përfaqësueses shpresa të vendit, duke zhvillluar dy ndeshje në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin e ardhshëm europian.

“Pas pauzës dy javore për shkak ndeshjeve ndërkombëtare, shpresoj të rikthehemi aty ku e lamë. Jemi në një seri prej 6 ndeshjeve pa humbje, me tre fitore të njëpasnjëshme, ashtu që edhe të dielën kundër Rabotniçkit do të dalim me synim fitoren, por gjithnjë duke kryer me sukses detyrat e dhëna nga ana e trajnerit. Nëse një gjë të tillë bëjmë në përpikshmëri, jam i bindur se 3 pikët e rradhës do të mbeten në Strugë.” – u shpreh Memetriza Hamza.

22-vjeçari thotë se e respektojnë Rabotniçkin, skuadër kjo që javëve të fundit është rikthyer në identitet. Njëjtë sikurse Struga Trim Lum, ashtu edhe skuadra shkupjane ka tre fitore të njëpasnjëshme në kampionat.

“E respektojmë si ekip Rabotniçkin, skuadër kjo që kohëve të fundit ka bërë ndeshje shumë pozitive, duke marrë pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë. Ata në rradhët e tyre kanë lojtar shumë cilësor, ashtu që duhet të jemi të kujdesshëm. Besoj se analizat e bëra nga ana e stafit teknik do të japin frytin e duhur në terren, aty ku edhe realisht vendoset fituesi. Ne do të bëjmë punën tonë, ashtu që shpresojmë të dalim në fund me rezultat pozitiv” – deklaroi Hamza, i cili thotë se do të ishte edhe më i lumtur në rast se në fund të sezonit me Struga Trim Lum do të arrinin objektivin, e që do ishte edhe një vend i siguruar për garat ndërkombëtare, edhe pse nuk përjashtohet edhe titulli, duke pasur parasysh se jemi ende në garë.

“Normalisht se jam i kënaqur me golat dhe assistimet që po bëj, si me ekipin përfaqësues, ashtu edhe me Struga Trim Lum. Pasi me Maqedoninë U21 nuk arritëm të jemi në mesin e dy skuadrave të para në grup, shpresoj që me Struga Trim Lum të arrijmë sa më lartë. Duke pasur parasysh se jemi ende në garë për titull, mund të them se do të luftojmë denjësisht deri në fund, ashtu që mbetet të shihet ku do të pozicionohemi…besoj të paktën Europën do sigurojmë” – e mbyll me buzëqeshje intervistën e tij, Memetriza Hamza, që të dielën kundër Rabotniçkit do të zhvillojë ndeshjen e tij të 38-të në Ligën e Parë me fanellën e Struga Trim Lum.

Leave a Reply