Atmosferë e tensionuar te Milani pas humbjes së rëndë ndaj Atalantës dhe protestës së ashpër të tifozëve në “San Siro”. Situata ka detyruar drejtuesit kuqezi të reagojnë menjëherë, me administratorin e deleguar Giorgio Furlani që ka thirrur një mbledhje urgjente në “Casa Milan” me të gjithë drejtuesit dhe përgjegjësit e sektorëve të klubit.
Objektivi ishte i qartë: të përcillet një mesazh uniteti, besimi dhe mbështetjeje në një moment delikat të sezonit. Dy ndeshjet e ardhshme ndaj Xhenoas dhe Kaljarit konsiderohen vendimtare për fatin e sezonit kuqezi dhe për garën drejt një vendi në Ligën e Kampionëve.
Pas tensioneve në ndeshjen e fundit kundër Atalantas, drejtuesit e Milanit kanë vendosur gjithashtu që skuadra të grumbullohet në “Milanello” duke nisur nga e mërkura, në përpjekje për të rikthyer qetësinë dhe përqendrimin brenda grupit. Humbja 2:3 ndaj Atalantës dhe reagimi i ashpër i tifozëve kanë lënë gjurmë të forta në ambientin kuqezi, ndaj klubi kërkon të japë një sinjal force dhe kompaktësie.
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe Igli Tare, tashmë në krye të sektorit sportiv, ndërsa mungoi trajneri Massimiliano Allegri.
Megjithatë, drejtuesit kanë pasur kontakte të vazhdueshme me teknikun italian gjatë ditës dhe i kanë konfirmuar besimin e plotë për këtë fund sezoni. Milani kërkon reagimin e menjëhershëm, në një moment ku çdo gabim mund të kushtojë shumë shtrenjtë.
