Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim kundërvajtës kundër tifozit 33-vjeçar me inicialet F.F. i cili pas mbarimit të ndeshjes mes KF Pobeda dhe Shkëndijës së Haraçinës sulmoi dhunshëm hapësirat e zhveshtores ku ndodheshin futbollistët e Shkëndijës.
“Më 1 nëntor të vitit 2025 rreth orës 15:30 në Prilep, në Stadiumin e Qytetit “Goce Dellçev” i ka shkelur dispozitat e Ligjit në mënyrë që i njëjti ka dëmtuar dhe shkatërruar inventar dhe pjesë të tjera të objektit sportiv”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndonëse MPB nuk përmend lartësinë e gjobës, sipas neneve të Ligjit për Parandalimin e Dhunës, gjobat për personat fizik që kryejnë akte të tilla sikur tifozi në fjalë, parashikohet gjobë prej 500 deri në 1000 euro.
Pavarësisht se Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, derisa gjobiti Klubin me 3.000 euro dhe i ndaloi prezencë të publikut në 4 ndeshjet e ardhshme, kishte konstatuar se me sjelljen e tij personi në fjalë ka rrezikuar sigurinë e lojtarëve të Shkëndijës, kjo për autoritetet ka qenë e pa mjaftueshme që të gjejnë elemente të përgjegjësisë penale për dhunën e shkaktuar.
