Për një organizim të dobët si nikoqir i takimit të javës së 20-të kundër Pelisterit, kur në fushë ishin hedhur gjësende të forta, përfshirë këtu edhe bisturi (skalpell), por gjithashtu edhe hyrje të paautorizuar në ambientet zyrtare nga një person i paautorizuar, KF Shkëndija është gjobitur në të holla, edhe atë në vlerë prej 5.000 eurove, përcjellë “infOSport.mk”.
Ndërkohë, për shkak kartonit të kuq në ndeshjen e fundit kundër AP Brera (java 22), mbrojtësi Imran Fetai është pezulluar me dy ndeshje moslojë. Kësisoj, Fetai do ti mungojë skuadrës tetovare në ndeshjet kundër KF Arsimit në kampionat (15.03), si dhe kundër Struga Trim Lum në kuadër të ndeshjes çerekfinale të Kupës.
Me një ndeshje është ndëshkuar gjithashtu edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Webster Ronaldo, që do të mungojë kundër KF Arsimit.
Mirëpo kjo nuk është e tëra, sa u përket gjobave kundrejt Shkëndijës, ndaj së cilës skuadër po iniciohet edhe një procedurë tjetër disiplinore për shkak të organizimit të dobët dhe hedhjes së çakmakëve në një ndeshje tjetër kampionale.
