Me ftesë të të numrit 1 të Federatës së Futbollit të Turqisë, İbrahim Ethem Hacıosmanoğlu, pronari kosovar i restorantit, Mentor Berisha, së bashku me familjen e tij, ishin mysafir të këtij institucioni shumë të rëndësishëm sportiv, përcjellë “infOSport.mk”.
Takimi u zhvillua në Kompleksin Kombëtar të Kampeve dhe Trajnimeve Riva Hasan Doğan, ku kryetari i federatës turke e priti me mirënjohje familjen Berisha pas gjestit të tyre domethënës ndaj tifozëve turq.
Mentor Berisha ishte bërë i njohur para ndeshjes finale të “play-off” midis Kosovës dhe Turqisë, e vlefshme për një vend në Botërorin e vitit 2026.
Në hyrje të restorantit të tij, “Restoranti Metropol” në Prishtinë, ai kishte vendosur mesazhin: “Sot jemi rivalë, por gjithmonë jemi miq! Për të gjithë tifozët turq, kafeja dhe çaji janë falas. Në vitin 1999 ju paguat, sot nuk keni asnjë borxh.”
Ky mesazh mori vlerësime të shumta dhe u prit me simpati nga tifozët turq të ardhur në Prishtinë, ndërsa gjithashtu morri jehonë të madhe edhe në shtetin turk, duke e vlerësuar këtë gjest shumë simpatik dhe vëllazëror të Mentor Berishës, i cili sot u nderua nga Presidenti i FTF-së, İbrahim Ethem Hacıosmanoğlu.
Ky i fundit ndau mirënjohje për të dhe nga një fanellë të kombëtares turke, që mbanin emrat Meriton, Qëndresa dhe Nil. (infOSport.mk)
