Përfaqësuesja e Maqedonisë në konkurrencë të femrave arriti një fitore të rëndësishme në transfertën ndaj Andorrës, duke triumfuar me rezultatin 1:0 në ndeshjen e xhiros së 5-të, të kualifikimeve të vlefshme për Botërorin e vitit 2027, që do të mbahet në Brazil.
Të përzgjedhurat e selektorit Aleksandar Andov arritën fitoren në La Vela me golin e Nikollovskës në minutën e 86-të të takimit, kur e kurorëzuan lojën më të mirë dhe siguruan tre pikë të rëndësishme.
Kjo është fitorja e dytë për Maqedoninë në ciklin kualifikues, pasi më herët kishin ngadhënjyer ndaj po të njëjtit kundërshtarë në Shkup.
Maqedonia luajti me këtë përbërje: Pançurova, Gjorgjieva, Nikollovska, Petkova, Kolovska, Galabovska, Maksuti, Cvetkoska, Grozdanova, Veliçkovska dhe Sulejmani. Gjatë ndeshjes mundësi për lojë morën edhe Pavlovska, Karpuzovska, Cvetkoviq dhe Emini.
Pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, Maqedonia ndodhet në pozitën e tretë në grup me gjashtë pikë të fituara. Në krye është Hungaria me 13 pikë, përpara Azerbajxhanit që ka 9 pikë.

