Komisioni Disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë pas ndeshjeve të xhiros së 10-të në Ligën e Parë dhe të xhiros së 8-të në Ligën e Dytë, ka ngritur procedura disiplinore ndaj dy klubeve dhe një zyrtari të klubit, si dhe dënime për katër futbollistë.
Është iniciuar procedurë disiplinore ndaj KF Shkëndijës së Haraçinës 77 për organizim të dobët të ndeshjes së xhiros së 10-të në Ligën e Parë kundër FC Struga Trim Lum, përkatësisht për praninë e personave të paautorizuar në hapësirat zyrtare.
Procedurë disiplinore është iniciuar edhe ndaj presidentit të klubit nga Haraçina, Sulejman Alimi, për sulm verbal dhe kërcënime të drejtuara ndaj katërshes së arbitrëve pas përfundimit të ndeshjes.
Procedurë disiplinore është iniciuar edhe ndaj KF Kamjanit për organizim të dobët të ndeshjes së xhiros së 8-të të Ligës së Dytë kundër KF Kozhuvit nga Gjevgjelia.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Disiplinor shqiptoi edhe pezullime për katër futbollistë: Enis Dervishi (KF Kamjani) – pezullim me 3 ndeshje; Martin Todorov (KF Shkëndija Haraçinë) – pezullim me 2 ndeshje; Darko Denkov (KF Detonit) – pezullim me 2 ndeshje; David Ristovski (AP Brera Strumicë) – pezullim me 1 ndeshje.

