Benjamin Kerimi sërish ishte pjesë e programit UEFA Core 63, një lloj akademie për arbitër të rinj dhe shumë premtues, nëpër të cilën kalojnë kandidatë të përzgjedhur nga e gjithë Evropa.
Ishte kjo pjesa e dytë e këtij programi, në të cilin Kerimi morri pjesë, pas pjesëmarrjes në muajin mars.
Përveç Kerimit, në këtë akademi morri pjesë edhe asistent arbitri Boris Trajkov. Nga muaji mars deri në tetor 2026, gjithnjë të ndjekur nga instruktorë të UEFA-s dhe trajner kondicional, kjo dyshe e arbitrëve nga Maqedonia, me sukses kaluan testin Yo-Yo dhe rregullat e lojës së futbollit ( Laws of the Game).
Që të dy u vlerësuan lartë në notimin e ekspertëve të kësaj fushe, madje pa asnjë gabim.
Kerimi me këtë rast shfrytëzoi rastin për të falënderuar gjithë ata që kontribuan në këtë arritje të tyre, përfshirë këtu presidentin e FFM-së, Masar Omeragiç, Kryetarin e Komisionit për delegimin e arbitrëve pranë FFM-së, Josip Barton, si dhe trajnerin kondicional, Sasho Danevski.
Programi UEFA CORE 63, është aktiv që nga viti 2010, ndërsa deri më tani thuajse 300 arbitër dhe asistentë kanë kaluar nëpër të, me ç’rast më shumë se 60 tashmë janë promovuar në listat ndërkombëtare të FIFA-s, gjë që konfirmon rëndësinë dhe besueshmërinë e këtij programi, në të cilin morrën pjesë arbitër nga gjithsej 12 shtete, si Italia, Anglia, Holanda, Skocia, Polonia, Kroacia, Malta, Hungaria, Finlanda, Moldavia dhe Maqedonia. (infOSport.mk)
