Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë ka vazhduar përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. Të përzgjedhurit e seleksionuesit Goce Sedloski gjatë muajit nëntor do të luajnë fillimisht ndaj Skocisë në transfertë me datë 13 nëntor, që më pas në Shkup me datë 16 nëntor të mirëpresin Slloveninë.
Lidhur me këto dy takime, ka folur sulmuesi i Shkëndijës së Tetovës, Marko Gjorgjievski, i cili shpreson do të ndihmojë përfaqësuesen të rikthehet në nivelin e dëshiruar pikërisht në ndeshjet ku do të kërkoj edhe debutimin e tij me fanellën “verdhekuqë”.
“Shpresoj se, nëse do të marr një shans në ndonjërën nga ndeshjet, do të jap kontributin tim dhe se do të fillojmë të ecim në drejtim pozitiv, ashtu siç e meriton kjo përfaqësuese. Në çdo përfaqësuese dhe në çdo klub vjen një periudhë e caktuar krize, por mendoj se ka ardhur koha të dalim prej saj dhe shpresoj që gjithçka të jetë siç duhet”, – theksoi Marko Gjorgjievski.
Sulmuesi i ri i ekipit përfaqësues futbollistik të vendit, konsideron se përvoja dhe forma konkurruese e futbollistëve më me përvojë mund të jenë faktorë të rëndësishëm në duelet e ardhshme. Ai beson se Maqedonia ka cilësinë për t’iu kundërvënë kundërshtarit të fortë dhe për të arritur rezultat pozitiv në Gllazgou.
“Futbollistët më me përvojë në përfaqësuese tashmë janë në formë konkurruese dhe mendoj se kjo do të dëshmohet në ndeshjet kundër Skocisë dhe Sllovenisë. Besoj se seleksionuesi do të gjejë mënyrën se si të rreshtohemi dhe të zhvillojmë një ndeshje të shkëlqyer, t’i kundërvihemi Skocisë dhe të arrijmë rezultat pozitiv”, – shtoi Gjorgjievski.
Ndeshja Skoci-Maqedoni në program është të premten (13.11) me fillim në ora 20:45 dhe e njëjta do të zhvillohet në stadiumin e Gllazgou Renxhers.

