De Biazi: Dera e hapur për ata që nuk dëshirojnë të jenë me ne

Pas akuzave të rënda të bëra ditën e djeshme nga Taulant Xhaka, Xhani De Biazi ka dalë ditën e sotme në një konferencë të zakonshme për mediat përpara ndeshjes me Bosnje & Hercegovinën, njofton “sportal.al”.

Pavarësisht asaj që tha mesfushori shqiptar, trajneri i Kombëtares nuk zgjodhi t’i kundërpërgjigjet me gjuhë të ashpër teksa deklaroi se e respekton vendimin e Xhakës për t’u larguar. Ja fjalët e De Biazit:

“Trajneri është 60 vjeç, ndërsa Xhaka 27 dhe trajneri kujdeset për lojtarët e tij, ndoshta ata jo për veten e tyre. Ka rregulla për të qëndruar në grup, i pari është të respektosh shokët dhe vendimet e trajnerit. Nëse dikujt i duket vetja më i mirë mjafton ta tregojë në fushë. Unë ua kam dhënë mundësinë të gjithëve, por nëse mendon se duhet të luajë gjithmonë kjo është një çështje tjetër që nuk më takon. Kombëtarja ka një president dhe një trajner që thërret lojtarët por jo të 23 mund të luajnë dhe unë duhet të kujdesem për të gjithë. Nëse dikush vetëpërjashtohet atëherë nuk është puna ime, unë jam mësuar të përballem me vështirësitë. Nëse paraqitesh mirë te skuadra ku luan nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të luash me përfaqësuesen”.

Për të qenë sa më i qartë në fjalët e tij mbi këtë teori, trajneri De Biazi mori parasysh faktin se edhe dyshja Veseli – Ajeti nuk luajnë rregullisht me ekipet e tyre por në Palermo u paraqitën mirë. Në vijim ai u kujdes që të vinte theksin edhe një herë në vendimet që sipas trajneri janë ekskluzivitet vetëm i tij dhe ata që nuk i respektojnë, mund të zgjedhin një rrugë tjetër.

“Jam pjesë e futbollit prej shumë kohësh. Jam një njeri që e kam mbajtur fjalën edhe në momentet më pak të mira. Kam një marrëdhënie të veçantë me lojtarët e mi dhe nuk jam i influencuar nga thashethemet që qarkullojnë shpesh. Zgjedhjet i bëj unë, nëse dikush nuk është dakort është i lirë të largohet. Këtu nuk mungon disiplina, madje është e kundërta. Këtu po flasim për lojtarë që kanë shumë dëshirë të japin kontribuitin e tyre, nëse nuk dëshirojnë mund të largohen, është zgjedhja e tyre”.

Për ndeshjen me Bosnjen, De Biazi foli pak teksa u shpreh: “Do të përpiqemi të arrijmë një rezultat pozitiv por do të kërkojmë të integrojmë edhe elementë të rinj. Kjo ndeshje për ne është një test sepse përballë kemi një skuadër shumë të fortë ndaj se cilës duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Jam i fokusuar që tani për sfidën e Qershorit në Izrael dhe kjo ndeshje do të na shërbejë shumë për atë përballje”.

Leave a Reply