Sokol Cikalleshi në formacionin më të mirë të javës në Turqi (FOTO)

Sokol Cikalleshi po i rikthehet formës së tij të dëshiruar. Pas një periudhe jo të mirë të kaluar te skuadra e Istanbul Bashakshehir gjatë fazës së parë të kampionatit në elitën e futbollit në Turqi, Cikalleshi si duket është ringjallur te skuadra e Akhisar, ku tashmë ka filluar edhe të shënojë gola.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shkëlqeu në javën e fundit të Superligës turke, ku ishte protagonist në fitoren që skuadra e tij e arriti ndaj Bursasporit me rezultatin 5:1.

Cikalleshi dha një asist dhe arriti të shënojë një gol në këtë përballje duke treguar edhe njëherë aftësitë e tij të larta sulmuese. Pikërisht falë paraqitjes së tij të shkëlqyeshme në këtë përballje, sulmuesi shqiptar ka marrë edhe vlerësimet më të mëdha nga mediat turke.

Ai është përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në elitën e futbollit turk, duke marrë notën më të madhe, 9.1. Është ky një tregues i qartë i formës së shkëlqyer që po kalon Cikalleshi me fanellën e skuadrës së Akhisar, skuadër kjo e cila me këtë fitore arriti në kuotën e 33 pikëve, që për momentin e pozicionojnë në vendin e 14-të, dhe me shumë gjasa që do të sigurojë mbijetesën.

Javën që vjen Akhisar Belediye i Sokol Cikalleshit do të jetë mysafir i Kasimpasa.

Leave a Reply