Skuadra e Totenhamit ka bërë një hap fals në ndeshjen e javës së 36-të në Premierligë, duke pësuar disfatë në transfertën ndaj Uest Hamit, njofton “infOSport.mk”.
Uest Hami i shkaktoi një disfatë shumë të pakëndshme rivalit të tij nga Londra në një ndeshje shumë të fortë që u zhvillua sonte në “London Stadium”.
Golin e vetëm në këtë përballje për “çekanët” e realizoi Manuel Lansini në minutën e 65-të, gol ky që në fund u tregua edhe si i mjaftueshëm që vendasit të arkëtojnë tre pikë të reja dhe për t’ia prishur punët Totenhamit në garën për titullin e kampionit.
“Spërsat” mbesin në pozitën e dytë me 77 pikë, 4 më pak se Çelzi, skuadër kjo e cila ndeshjen e saj të javës së 36-të do ta zhvillojë të hënën kundër Midëlzbrou.
Në anën tjetër Uest Hami mbetet në pozitën e 9-të me 42 pikë të tubuara.