Arsenal ka fituar FA Kupën edhe për herë të tretë në katër vitet e fundit. Skuadra e Arsen Venger mundi Çelzin me rezultatin 2:1 në derbin londinez, e mbushur me plotë momente dramatike.
“Topçinjtë” kaluan në epërsi vetëm pas 4 minutave lojë me golin e shënuar nga Aleksis Sançez. Në minutën e 68-të Çelzi mbeti me 10 futbollistë në fushë pas përjashtimit të Viktor Mouses, që u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë për shkak të një stimulimi në zonën kundërshtare.
Mirëpo edhe përkundër këtij fakti “blutë” e Londrës arritën që të barazojnë rezultatin me anë të spanjollit, Diego Kosta. Mirëpo festa e futbollistëve të Çelzit, zgjati shumë pak kohë, pasi ishte Aron Ramzi që shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Kurtua për rezultat 2:1, që në fund doli të jetë edhe përfundimtarë në këtë finale.
Ky sukses është shumë i ëmbël për Arsen Venger, pas gjithë atyre kritikave në adresë të tij gjatë këtij sezoni. Mirëpo si duket edhe përkundër këtij triumfi, për strategun francez do të jetë kjo ndeshja e tij e fundit si trajneri i Arsenalit.
Ai sot u bë trajneri më i suksesshëm në historinë Fa Kupës, pasi arriti që të rrëmbejë edhe për të 7-tën herë këtë trofe, ndërsa për Arsenalin, ishte ky trofeu i 13-të në historinë e skuadrës nga “Emirates Stadium”.
Pjesë e këtij trofeu ishte edhe futbollisti shqiptarë, Granit Xhaka, por jo edhe Shkodran Mustafi, i cili ishte i lënduar.