Jasir Selmani gjen veten te FC Follo në Norvegji

Mesfushori tetovar Jasir Selmani ka vendosur të distancohet nga futbolli i këtushëm, duke u stacionuar përkohësisht në Norvegji.

Edhe pse në mediat vendore pak është shkruar për të dhe disi është krijuar një shprastirë disa mujore, InfoSport ju sjell informata për angazhimin momental të ish-futbollistit të Shkëndijës së Tetovës, Renovës dhe Ferizajit të Kosovës.

26-të vjeçari tani më 3 muaj është Norvegji te skuadra e kategorisë së tretë, Follo, mirëpo shkaku i kompletimit të dokumentacionit të drejtë loje ka fituar vetëm dy javë më parë.

“Tani më tre muaj gjendem këtu në Norvegji si pjesë e skuadrës Follo. Si fillim jam i kënaqur dhe vërtet nuk mund të ankohem. Kam firmosur deri në gjysmën e sezonit, pra deri më 15-të gusht, pasi këtu sezoni ka nisur para një muaji. Pasi të kryhet pjesa e parë se sezonit do të ulemi sërish të flasim për të diskutuar të ardhmen. Nuk kam mundur të luaj prej fillimi shkaku i problemeve me kompletimin e dokumentacionit, mirëpo tani më dy xhiro jam në skuadër dhe uroj gjërat të ecin mirë”, shprehet për “infOSport.mk”, Jasir Selmani, që më pas na njofton pak me nivelin e futbollit ku luan tani. “E quajnë Liga e Dytë, por bëhet fjalë për kategorinë e tretë të futbollit norvegjez. Realisht niveli është si i Ligës së Dytë të Maqedonisë, ndoshta pak edhe më i mirë, por në aspekt sportiv dhe profesional janë shumë më të organizuar”, përfundon Selmani.

Pas 8-të xhirove të para skuadra e Follo-s renditet e 11-ta në Ligën që numëron 14-të skuadra, mirëpo duke llogaritur se është vetëm starti i sezonit tetovari beson ekipi të ngritet në xhirot në vazhdim.

Selmani në Norvegji kaloi pas eksperiencës së fundit me Ferizajin në Kosovë, ku luajti gjysmë-sezonin vjeshtor.

Më parë ishte pjesë e Renovës, pati qëndrim të shkurtër te Vllaznia e Shkodrës, ndërsa afirmimin e vërtetë si futbollist e kishte te skuadra amë Shkëndija, ku ishte pjesë e gjeneratës që në vitin 2011 fitoi titullin e kampionit dhe Super Kupën e Maqedonisë.

Leave a Reply