Ilir Avdyli, gardiani i ri i Shkëndijës

Shkëndija ka bërë një goditje të duhur, duke angazhuar një ndër portierët më të mirë kosovar, Ilir Avdylin, njofton “infOSport.mk”.

27-vjeçari Avdyli ka nënshkruar kontratë tre-vjeçare me skuadrën e Qatip Osmanit, ndërsa më meritor për këtë transferim është menaxheri, Gëzim Mehmeti.

Portieri nga Podujeva te Shkëndija vjen nga rradhët e skuadrës së Llapit, me të cilën skuadër këtë edicion luajti në finalen e Kupës së Kosovës, ku për fat të keq humbën ndeshjen në ruletin e penaltive, me ç’rast humbën rastin për të prezantuar skuadrën në ndeshjet e Liga Evropa.

Megjithatë atë që nuk e bëri me skuadrën e Llapit, Avdyli do të ketë mundësinë ta bëjë me Shkëndijën, me të cilën skuadër do të luaj në eliminatoret e Liga Evropa.

Avdyli i cili konsiderohet si një ndër portierët më të mirë kosovar, karrierën e tij e kishte nisur te KEK-u, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe për Drenicën dhe Ferizajin. Kjo është hera e dytë që Avdyli do të luaj jashtë Kosovës, pasi në sezonin 2014/2015 ai kishte qenë pjesë e Tiranës.

Leave a Reply