Spanja sërish kokë lartë u largua nga Shkupi (VIDEO)

Kombëtarja e Spanjës mundi Maqedoninë me rezultatin 2:1 në ndeshjen e xhiros së 6-të në grupin “G”, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.

Të përzgjedhurit e trajnerit Lopotegi shënuan dy gola të shpejtë gjatë pjesës së parë, që në fund u treguan edhe si vendimtarë në fitoren e “furisë së kuqe” në Shkup.

Deri në shënimin e golit të parë duheshe të presim 15 minuta. Iniesta mjaft mirë asistoi për David Silvën brenda zonës, ndërsa futbollisti i Mançester Sitit nuk gaboi dhe në ato momente shënoi golin e parë në rrjetën e Dimitrievskit.

Në minutën e 27-të rezultati në semafor tregonte 0:2 në favor të Spanjës. Isko mjaft bukur tejkaloi Kire Ristevskin nga ana e djathtë, duke asistuar brenda 5 metërshit të portierit Dimitrievski, ku ndodhej qendërsulmuesi Diego Kosta, që nuk e kishte të vështirë të shënojë edhe golin e dytë.

Deri në mbyllje të pjesës së parë  Isko pati edhe dy raste shënimi, mirëpo nuk arriti që të shënojë, ashtu që pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0:2 në favor të spanjollëve.

Në pjesën e dytë Igor Angellovski vendosi që në lojë të inkuadrojë 17-vjeçarin e Rabotniçkit, Elif Elmaz, i cili solli mjaft freski në rradhët e përfaqësueses së Maqedonisë, e cila në minutën e 66-të arriti që të shënojë golin e parë në rrjetën e De Geas.

Nestorovski lëshoi një top për Goran Pandev, i cili në vazhdimësi mjaft bukur asistoi për Stefan Ristovskin, i cili u tregua mjaft i shkathët, dhe pasi siguroi hapësirën e duhur për të goditur, bëri një gjë të tillë në mënyrë perfekte, duke shënuar një super gol në rrjetën e “iberikëe”, gol ky që njëherit ishte edhe i fundit i shënuar në “Telekom Arena” në Shkup, prej ku Spanja sërish u largua kokë lartë.

Falë kësaj fitore Spanja ruan pozitën e parë në tabelë me 16 pikë, po aq sa ka edhe Italia në pozitën e dytë, që sonte demoloi Lihtenshtejnin me rezultatin 5:0.

Shqipëria me 9 pikë, po aq sa ka edhe Izraeli, renditen në pozitat 3 dhe 4, derisa Maqedonia me vetëm 3 pikë ndodhet në pozitën e 5-të, duke i lënë pozitën e fundit Lihtenshtejnit që pas 6 xhirove nuk ka tubuar asnjë pikë.

Leave a Reply