Ndeshja Maqedoni-Shqipëri në Strumicë! Reagon FSHF

Pasi sot u bë e ditur se ndeshja eliminatore ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë e vlefshme për Botërorin “Rusi 2018” do të zhvillohet në stadiumin “Mladost” në Strumicë, ka ardhur edhe reagimi zyrtarë nga ana e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo e fundit ka shprehur shqetësim lidhur me këtë vendim të homologëve të tyre maqedonas, duke iu drejtuar edhe  Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, si dhe Drejtorisë për Sigurinë e Stadiumeve në UEFA.

Më poshtë në mënyrë integrale ju sjellim reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit:

“Federata Shqiptare e Futbollit kërkon të bëjë me dije edhe opinionin publik në lidhje me problemin e vendit të zhvillimit të ndeshjes zyrtare eliminatore, për Botërorin “Rusi 2018”. FSHF ka ndjekur me shumë prioritet edhe çështjen e vend-zhvillimit të ndeshjes zyrtare eliminatore në Maqedoni në shtator, duke realizuar edhe korrespondencën e duhur dhe të menjëhershme zyrtare me UEFA-n. Nisur nga specifika e ndeshjes, por edhe nga praktika e zakonshme për informacionin e duhur disa muaj para, për vendin e zhvillimit të ndeshjes, FSHF i është drejtuar vetë homologëve maqedonas në fillim të muajit qershor në lidhje me vendin e zhvillimit të ndeshjes. Përpos kësaj, nisur edhe nga rrethanat e një ndeshje delikate UEFA ngriti një grup inspektimi të sajin për të parë edhe stadiumin e Strumicas, një impiant që nuk përputhet aspak për standardet ndërkombëtare të zhvillimit të ndeshjes eliminatore zyrtare. Në konfirmimin e tyre të mëvonshëm, si dhe pas inspektimit të grupit të punës, UEFA vendosi që për arsye sigurie ndeshja zyrtare eliminatore e shtatorit MAQEDONI-SHQIPËRI të luhet në stadiumin e Strumicas, dhe jo në Shkup, pasi në argumentin e tyre, ata kishin më shumë primare garancinë e sigurisë për tifozët, gjë për të cilën ishin më shumë të sigurt në Strumica, se sa në Shkup, në stadiumin “Filipi i 2-të”. Dhe për këtë ajo ka marrë garancitë përkatëse.  FSHF ndërkaq i është drejtuar vetëm para pak ditësh Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, për këtë shqetësim, më pas edhe Drejtorisë për Sigurinë e Stadiumeve në UEFA, ku i përcolli edhe shqetësimin në lidhje me këtë vendim, për zhvillimin e ndeshjes, në një impiant ku nuk i plotëson standardet ndërkombëtare, por që sipas korrespondencës, dhe pas inspektimit u vendos që për arsye sigurie të luhet atje”, shkruhet në njoftimin e Federatës.

Leave a Reply