Zyrtare, Vardari pret Kopenhagenin në “Telekom Arena” në Shkup

Skuadra kampione e Maqedonisë, Vardari, ndeshjen e parë të turit të tretë eliminatorë ndaj skuadrës daneze të Kopenhagen do ta zhvillojë si vendas.

Edhe pse shorti kishte dashur që ndeshja e parë të zhvillohet në Kopenhagë, me kërkesë të Vardarit ndeshja e parë do të zhvillohet në Shkup, edhe atë në “Telekom Arena”.

UEFA kishte pranuar kërkesën e “kuqezinjëve” nga Shkupi dhe me pëlqim të drejtuesve të Kopenhagës, vendosi që ndeshja në fjalë të zhvillohet në stadiumin më të madh në vendin tonë, edhe pse i njëjti ishte jashtë përdorimit, pas punimeve rreth tij dhe mirëmbajtjes së fushës në prag të ndeshjen finale të Superkupës së Evropës, midis Realit të Madridit dhe Mançester Junajtedit, ndeshje kjo që  në program është me datë 08 gusht.

Vardari në letrën drejtuar UEFA-s kishte kërkuar që me çdo kusht ndeshjen ndaj Kopenhagës ta zhvillojë në Shkup, madje edhe me një kapacitet të përgjysmuar, ndërsa gjithashtu nga Komisioni Disiplinorë pranë UEFA-s kërkoi një dënim më të ulët pas atyre lëshimeve në ndeshjen e turit të dytë eliminatorë ndaj Malmes në Strumicë, me preteksin se nuk kanë qenë në gjendje për të organizuar mirë ndeshjen, pasi stadiumi nuk ofronte një gjë të tillë.

“Telekom Arena” është impianti i vetëm i cili i plotëson kushtet për ndeshje të turit të tretë eliminatorë të Ligës së Kampionëve, ashtu që UEFA pa u menduar shumë kishte vendosur ti pranojë kërkesat e “kuqezinjëve”, të cilët megjithatë ende nuk kanë marrë një përgjigje konkrete, nëse do të mund ta zhvillojnë ndeshjen në kapacitet të plotë, apo në shitje do të duhet të nxjerrin një numër të caktuar biletash.

Leave a Reply