Ejupi: Derisa Angellovski të jetë trajner, unë nuk luaj për Maqedoninë

Një ndër sulmuesit më të mirë shqiptarë, Muzafer Ejupi ka paralajmëruar se më nuk do të luaj për reprezentacionin e Maqedonisë, derisa këtë skuadër do ta udhëheq trajneri, Igor Angellovski. Shkupjani shprehet i indinjuar për mos ftesën nga ana e trajnerit Angellovski, për dy ndeshjet e shtatorit në kuadër të grupit “G” të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2018-të që do të mbahet në Rusi.

Sipas tij, është e pakuptimtë duke parë formën e mirë në të cilën po kalon me fanellën e Osijekut, të mungoj ftesa nga ana e Angellovskit, i cili të hënën bëri publike listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet me Izraelin (02 shtator) dhe Shqipërinë (05 shtator).

Më poshtë ju sjellim postimin e plotë të Muzafer Ejupit:

Pas publikimit të listës së futbollistëve për ndeshjet e rradhës të Maqedonisë, unë Muzafer Ejupi ndjej përgjegjësinë për të njoftuar opinionin për vendimin tim në lidhje me të ardhmen time në ekipin përfaqësueses. Kam respektuar çdo vendim të seleksionuesit (edhe tjerëve paraprakisht) z. Igor Angellovski, kam pasur parasysh se përparësi kanë ata që luajnë jashtë Maqedonisë dhe që bëjnë rregullisht gola në ekipe që luajnë rol të rëndësishëm në kampionate më të forta. Kam heshtur kur shënoja rregullisht në Maqedoni dhe më pas edhe në Tajlandë, sepse doja të arsyetoj në mendjen time kriteriumin që duhet të luash në një kampionat më të fortë. Fati im kalova në Kroaci, ku jam duke shënuar vazhdimisht, fillimisht me Slaven Belupon, tani më edhe me Osijekun me të cilët luajmë në UEFA Europa League. Kam pritur me durim të madh, se do të vijë rradha ime, por kjo asesi të ndodhë. Në fakt seleksionuesi Angellovski më ftoi një herë edhe atë pa më dhënë shans ta luajë në ndeshjen me Lihtenshtejnin, ndërsa më inkuadroi në lojë për 11-të minuta në miqësoren me Bjellorusinë. Heshta edhe atëherë, sepse sërish desha të arsyetoj seleksionuesin, se do të vinte rradha ime. Tani në listën e fundit edhe një herë mbetem jashtë dhe realisht nuk mund të kuptoj këtë injorim që më bëhet vazhdimisht, në kushte kur luaj në kampionatin kroat, kemi suksese me Osjekun dhe golat e mij nuk mungojnë. Në përfaqësuese vlerësoj së thiren ata që janë në formë më të mirë për momentin dhe jo ata që duhet të kthehen në formë. Me këtë nuk dua të sulmoj asnjë prej futbollistëve të grumbulluar, por asesi nuk mund të pranoj injorimin që po më bëhet në vazhdimësi. Prandaj, duke analizuar mirë situatën që përsëritet tani më një kohë dhe pas konsultimit me njerëz profesional, kam vendosur që mos luaj për Maqedoninë edhe nëse do të më vinte ftesa, deri sa seleksionues është z. Igor Angellovski.

Leave a Reply