Trajneri i Levantes i mahnitur me cilësitë e Bardhit

Enis Bardhi po kalon momentet e tij më të mira të karrierës, duke shkëlqyer edhe në një ndër ligatë më të fuqishme evropiane, siç është La  Liga.

Futbollisti shkupjan këtë verë nga rradhët e skuadrës hungareze të Ujpeshtit u transferua te skuadra e Levantes, me të cilën skuadër nuk vonoi shumë dhe realizoi golin e parë në një ndeshje debutuese.

Bardhi shënoi një super gol nga gjuajtja e lirë përballë Deportivo Lakorunjës, në të cilën ndeshje skuadra e tij në fund nxorri një barazim 2:2.

“Bardhi është fenomenal dhe mund të shkojë shumë më lartë me aftësitë të cilat i posedon, sepse është ende i ri. Ajo që më tërheq më shumë tek ky futbollistë është personaliteti i tij. Dy këmbët e tij nuk kanë shumë dallim, pasi Enisi godet thuajse me të dyja këmbët njëjtë. Është adaptuar shumë mirë që në ditën e parë te skuadra jonë dhe ndjehem shumë i lumtur që punoj me një talent si Bardhi”, – ka thënë trajneri i Levantes, Huan Munjiz.

Bardhi ka qenë titullarë në të dyja ndeshjet e Levantes në sezonin e ri, ku skuadra nga Valencia ka tubuar 4 pikë, duke pasur parasysh se në ndeshjen e xhiros së parë, ata mundën Viljarealin me rezultat minimal 1:0.

Rikujtojmë Bardhi ishte fenomenal edhe në ndeshjet kontrolluese të skuadrës së Levantes, me të cilën skuadër realizoi 4 gola, dy prej të cilëve nga specialiteti i tij, gjuajtjet e lira.

Leave a Reply