Ventura kërkon fitore ndaj Shqipërisë

Trajneri i Italisë, Xhanmpiero Ventura ka folur për mediat në prag të ndeshjes së nesërme kundër Shqipërisë në Shkodër. Ai shprehet i kënaqur me punën e bërë gjatë këtyre 14-15 muajve me ekipin kombëtar, ndërsa beson në një fitore të rradhës ndaj Shqipërisë, si ajo në ndeshjen e parë në Itali.

“Personalisht jam i kënaqur me ato çka kam parë nga skuadra në këto 14-15 muaj. Mund të bënim diçka më shumë në këto Eliminatore, sigurisht. Por, gjithsesi nuk mund të ankohemi. Shqipëria? Të luash këtu për herë të parë dhe për më tepër për Eliminatore të Botërorit është një moment historik për shqiptarët. Do të jetë një ndeshje interesante edhe pse jemi të kualifikuar për në play-off. Duhet të fitojmë për të qenë në krye të skuadrave gjatë shortit të play-off-it”, – deklaroi trajneri i Italisë, Ventura.

Ndeshja e nesërme Shqipëri – Itali është e javës së fundit në kuadër të grupit “G” e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, ndërsa e njëjta starton në ora 20:45 në “Loro Boriçi” në Shkodër.

 

Leave a Reply