Partizani i Tiranës nis bisedimet me njërin prej brazilianëve të Pelisterit

Takimi miqësor midis Partizanit dhe Pelisterit, i zhvilluar ditë më parë në Kamzë ka rezultuar pozitiv për njërin prej futbollistëve brazilian të skuadrës nga Manastiri, i cili falë paraqitjes së mirë në atë ndeshje ka zgjuar interesimin e skuadrës shqiptare.

Bëhet fjalë për sulmuesin e majtë Luis Ferriera Kardoso, i cili spikati në përballjen e së shtunës ku Partizani doli fitues me rezultatin 2:1.

Duke pasur parasysh se Partizani në katër ndeshjet e para të Superiores nuk ka shënuar asnjë gol, në kampin e “Të kuqve” nga Tirana që tani kanë nisur të mendojnë për lëvizjet në merkaton e janarit, ndërsa emri i parë që synohet është ai i brazilianit 23-vjeçar të Pelisterit, i cili sezonin e kaluar me fanellën e “gjelbërt” në 29 ndeshje realizoi 11 gola. Bisedimet e para lidhur me një transferim të tij të mundshëm në Tiranë ishin zhvilluar menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, ndërsa tashmë mbetet të shihet nëse do të ketë diçka konkrete në këtë drejtim.

Ndryshe Lukas te Pelisteri erdhi verën e vitit 2016-të, ndërsa që në sezonin e tij të parë arriti që të triumfojë në Kupën e Maqedonisë,  pasi në finalen e madhe Pelisteri i tij mundi Shkëndijën pas ekzekutimit të penaltive.

Lukas këtë edicion në 9 javët e para të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë ka zhvilluar vetëm 6 ndeshje, duke realizuar edhe një gol, që në përballjen e xhiros së parë ndaj Pobedës.

Leave a Reply