Duro dhe Flamurtari të dashuruar pas futbollistëve nga Maqedonia

Janë gjithsej 3 futbollistë nga Maqedonia që bëjnë pjesë në formacionin e Flamurtarit, ndërsa shumë lehtë mund të ndodhë që skuadrës vlonjate ti bashkohet edhe një futbollist tjetër nga vendi ynë, njofton “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për Muarem Muarem, ish futbollistin e Rabotniçkit i cili pritet të ju bashkohet futbollistëve si Muhamed Useini, Artim Pollozhani dhe Goran Siljanovski.

29-vjeçari Muarem me shumë gjasa me Flamurtarin do të bashkohet gjatë janarit. Bisedimet mes palëve janë në një fazë të avancuar, ndërsa “infOSport.mk” mëson se është arritur edhe akordi paraprak mes tyre.

Muarem luan në pozicionin e mesfushorit të avancuar, prapa dy sulmuesve, ndërsa eksperienca e tij e madhe në ndeshjet ndërkombëtare do të jetë  e mirëseardhur për ekipin e Shpëtim Duros, i cili këtë edicion shihet si një ndër skuadrat konkurrente për titullin e kampionit në Superligën shqiptare.

Ai së fundmi ishte pjesë e Aktobes në kampionatin e Kazakistanit, ndërsa gjithashtu ai ishte pjesë e një ndër skuadrave më të mira të Azerbajxhanit, Karabag, me të cilën skuadër 4 herë kishte fituar titullin e kampionit, ndërsa  njëherë kishte fituar edhe Kupën bashkë edhe me reprezentuesin e Shqipërisë, Ansi Agolli.

Ndryshe hapat e parë Muarem Muarem i kishte bërë te skuadra e FC Shkupit, për të kaluar më pas te skuadra e Rabotniçkit, nga e cila skuadër filloi edhe karrierën e tij ndërkombëtare kur fillimisht u transferua në Turqi te skuadra e Orduspor, ndërsa përveç me Karabagun dhe Aktoben, futbollisti shkupjan gjithashtu ka veshur edhe fanellën e skuadrës së Eskishehirspor.

Ai gjithashtu ka qenë pjesë e përfaqësueseve zinxhir të Maqedonisë, duke arritur që të luaj edhe për përfaqësuesen A të Maqedonisë, për të cilën kombëtare ka regjistruar 7 paraqitje.

Leave a Reply