Futbollistët suedez duke festuar shkatërruan studion e improvizuar të EuroSport (VIDEO)

Përderisa italianët nuk mund ti përmbanin lotët pas eliminimit të tyre nga ndeshjet e “Play-off” për KB Rusi 2018, futbollistët suedez nuk mund të përmbaheshin dot duke festuar si të çmendur kualifikimin e tyre për në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Madje një pjesë e këtyre festimeve ishte shumë më e veçantë dhe e ekzagjeruar. Futbollistët suedezë pikasën në një cep të fushës studion e improvizuar nga “Eurosport” për transmetimin e ndeshjes dhe komentet pas saj.

Ata u vërsulën me vrap drejt panelit ku kishte transmetim të drejtpërdrejtë duke festuar si të kishin shënuar një gol mbi moderatoren dhe të ftuarit për disa sekonda, duke thyer edhe tavolinën e kësaj studioje të improvizuar.

Sigurisht, gjithçka kaloi me shumë humor dhe të qeshura, pasi kuptohej gëzimi i futbollistëve suedezë për kualifikimin në Botërorin “Rusi 2018”.

Rikujtojmë mbrëmë Suedia arriti që të mbetet e pamposhtur në “San Siro” ndaj Italisë, duke nxjerrë një barazim pa gola, barazim ky i mjaftueshëm për të prerë biletën për eventin e rëndësishëm futbollistik, duke pasur parasysh se në ndeshjen e parë si vendas kishin triumfuar me rezultatin minimal 1:0.

Leave a Reply