FC Shkupi me 4 janar starton përgatitjet për stinorin pranveror, ka shpresa edhe për sponzorin e ri  

Futbollistët e Shkupit në pushim dimëror do të jenë deri më 4 janar, atëherë kur trajneri Ardian Nuhiu ka caktuar edhe grumbullimin e parë të skuadrës nga Çairi, që në stinorin pranveror shpreson të futet me sponzor të ri, njofton “infOSport.mk”.

Ata pjesën e parë të sezonit 2017/2018 e mbyllën në pozitën e 6-të me 23 pikë, po aq sa ka edhe Rabotniçki në pozitën e pestë. Pikërisht ky numër i pikëve të grumbulluar jep shpresa të shumta te skuadra “bardhekaltër” nga Çairi, pasi pozitat që sigurojnë Europën nuk janë edhe aq larg.

Duke pasur parasysh se dy skuadrat më të fuqishme në vend, Shkëndija dhe Vardari janë ende në garë për trofeun e Kupës së Maqedonisë dhe ndër skuadrat më serioze për të fituar atë, shumë lehtë mund të ndodh që një vend për në Liga Europa të sigurojë edhe pozita e katërt, që aktualisht mbahet nga Akademia Pandev që ka vetëm dy pikë më shumë se FC Shkupi.

Bazuar në këto rrethana dhe paralajmërimet për një sponzor të fuqishëm, atëherë shumë lehtë mund të ndodh që ëndërra e armatës së madhe të tifozëve të FC Shkupit, “Shvercerat” të bëhet realitet dhe skuadrën nga Çairi sërish ta shohim në garat evropiane.

Ndryshe sa i përket fazës së parë të përgatitjeve për stinorin pranveror, ajo do të zhvillohet në stadiumet pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë, teksa kah fundi i janarit skuadra planifikon që përgatitjet ti zhvillojë jashtë Shkupit, ndërsa ka gjasa që me kyçjen e sponzorit turk, faza e dytë e përgatitjeve të zhvillohet në Antalia të Turqisë.

 

Leave a Reply