FC Shkupi nisi përgatitjet për stinorin pranveror

FC Shkupi prej sot edhe zyrtarisht ka nisur përgatitjet dimërore përmes të cilave do të ndërtojë formën e duhur për stinorin pranveror, ku e pret një garë shumë e fortë në luftë për vendet që dërgojnë në Europë, njofton “infOSport.mk”.

Trajneri Ardian Nuhiu në këtë grumbullim të parin pas disa javëve pushim nuk mund të llogariste vetëm në shërbimet e Sedat Berishës dhe Fisnik Zukës. Ky i fundit lidhet me një transferim të mundshëm te Flamurtari i Vlorës, mirëpo Nuhiu potencoi se ai edhe më tej është pjesë e skuadrës dhe se mungesa e dy futbollistëve të lartëpërmendur është me arsye.

Sa u përket futbollistëve tjerë, që të gjithë ishin ata të njëjtit që bartën barën kryesore edhe gjatë stinorit vjeshtor, kur e mbyllën në pozitën e 6-të me 23 pikë, po aq sa edhe Rabotniçki në pozitën e 5-të.

Duke pasur parasysh se vendi i katërt ka vetëm dy pikë më shumë, dhe se FC Shkupi futet në këtë gjysëmsezon me sponzor të ri, me disa përforcime të bëra shumë lehtë mund të ndodhë që skuadra nga Çairi pas shumë viteve të rikthehet në garat evropiane.

Ndryshe sa u përket përgatitjeve dhe rrjedhshmërisë së tyre, “bardhekaltërit” tre ditët e parë do të zhvillojnë stërvitje më të lehta në stadium të mbyllur, ndërsa nga dita e hënë ata do të transferohen në stadiumin e lagjes Gjorçe Petrov, për të zhvilluar stërvitje në fushën me bari artificial.

E gjithë kjo do të zgjatë deri më 21 janar, ndërsa vetëm një ditë më pas ekspedita “bardhekaltër” do të shpërngulet për në Antali, ku edhe do të zhvillojë fazën kryesore të stërvitjeve para startit të sezonit pranveror, kur në ndeshjen e parë me 14 shkurt FC Shkupi në Çair do të përballet me Akademia Pandev.

Leave a Reply