Renova e fortë për Vëllazërimin

Skuadra e Renovës ka shënuar edhe fitoren e dytë në kuadër të ndeshjeve kontrolluese, që kjo skuadër po i zhvillon në Ohër, njofton “infOSport.mk”. Pas fitores minimale 1:0 ndaj Pobedës, sot të besuarit e trajnerit Vllatko Kostov mundën kampionët e dimrit të Ligës së Dytë Perëndim, Vëllazërimin me rezultatin e thellë 5:0. Gjithçka në këtë ndeshje fliste në anën e “gjipspunuesve” të cilët pjesën e parë e mbyllën me dy gola epërsi.

Ishte Nenad Mishkovski ai i cili shënoi golin e parë, pas një tollovie të shfaqur në zonën e kërçovarëve, ndërsa golin e dytë Renova e realizoi me anë të sulmuesit të ri, Dejan Cvetanoski.

Edhe pjesa e dytë kur të dy trajnerët bënë zëvendësime të shumta, foli në anën e skuadrës nga Xhepçishti, që kësaj rradhe shënoi tre gola.

Një tjetër futbollist i arrdhur gjatë kësaj merkatoje te Renova, Vllatko Stojanovski shënoi golin e tretë, teksa dy golat e fundit mbajnë firmën e Burim Sadikit dhe Lavdrim Skenderit.

Ndeshjen e rradhës kontrolluese, Renova do ta zhvillojë me 28 janar kundër skuadrës serbe të Javor.

Leave a Reply