Selta ndali rezervat e Barcelonës me një gol të dyshimtë (VIDEO)

Ndeshja e javës së 33-të në La Liga midis Selta Vigos dhe Barcelonës është mbyllur me barazimin 2:2, njofton “infOSport.mk”. Mysafirët nga “Kamp Nou” në dy raste avansonin në “Ballaidos” pas golave të shënuar nga Usman Dembele (36’) dhe Paulinjoi (63’), mirëpo Selta Vigo në të dyja rastet arrinte që të barazonte me Xhoni Kastro (45’) dhe Ugo Aspas (82’).

Goli i sulmuesit Aspas ishte shumë i dyshimtë, pasi i njëjti kishte luajtur me dorë. Ndryshe Barcelona ndeshjen e mbylli me 10 futbollistë në fushë pas përjashtimit të Serxhio Robertos, i cili në minutën e 71-të u ndëshkua drejtëpërdrejtë me karton të kuq.

Edhe përkundër këtij barazimi, Barcelona vazhdon të ruaj pozitën e parë në tabelë me 83 pikë, teksa Selta Vigo me 44 pikë renditet në pozitën e 9-të.

Me barazim, mirëpo pa asnjë gol të shënuar më herët u mbyll edhe ndeshja midis Deportivo La Korunjës dhe Seviljës, teksa në ndeshjen e fundit të sotme, Viljareali me rezultatin 2:1 mundi Leganesin.

Leave a Reply