Goblen Zhunior siguron Ligën e Dytë, rikthen frymën e futbollit në Kumanovë!

Goblen Zhunior më në fund ka bërë ëndërrën realitet. Pas dy tentativave të pasuksesshme që përmes ndeshjeve të balotazhit të inkuadrohet në Ligën e Dytë, skuadra kumanovare një gjë të tillë ka bërë këtë vit, edhe atë me stil, pasi ka siguruar kualifikimin e drejtëpërdrejtë, edhe atë në 3 xhiro para mbylljes së sezonit aktual në Ligën e Tretë Veri, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Goblen Zhunior të shtunën në ndeshjen e javës së 23-të falë golave të shënuar nga Elion Zeqiri edhe Rinor Rexhepi mundi ekipën e Besa/Vllazërimi në transfertë me rezultatin 1:2, duke siguruar atë epërsi prej 12 pikëve, ndaj skuadrës së vendit të dytë, Kadino, që sot zhvillon ndeshjen e saj kundër Maxhari Solidarnostit.

Mirëpo pavarësisht rezultatit të këtij takimi, Gobleni ka siguruar një vend për në Ligën e Dytë – Perëndim, ndërsa një e arritur e këtillë ka gëzuar gjithë ekipin, por edhe gjithë kumanovarët, që më në fund do të mund të shohin ndeshje më cilësore në qytetin e tyre me traditë futbolli.

“Ka kohë në Kumanovë që nuk ka skuadër shqiptare që garon në Ligën e Dytë. Për herë të fundit ishte Milano, ndërsa kjo na ka gëzuar tej mase neve si ekip, por besoj edhe gjithë kumanovarët, që meritojnë të shohin ndeshje të këtij kalibri” – u shpreh fillimisht enkas për “infOSport.mk” kapiteni i Goblen Zhunior, Ylber Alili.

Ai në vazhdim foli edhe për vështirësitë që kanë pasur gjatë këtij sezoni historik për ta: “Sezoni nuk ka qenë aspak i lehtë, pasi të gjithë e dimë se si është të luash në ligë të tretë në Maqedoni, mirëpo me mund dhe seriozitetin që kemi pasur në skuadër, i’a arritëm qëllimit që të jemi pjesë e Ligës së Dytë”.

Alili tregon edhe ambiciet që kanë për sezonin e ardhshëm, më konkretisht në Ligën e Dytë – Perëndim.

“Qëllimi ynë me siguri se do jetë sigurimi i mbijetesës. E dimë që në Ligën e Dytë Perëndim ka shumë skuadra të forta, ashtu që do e kemi të vështirë, por shpresojmë se me një seriozitet të këtillë, siç e patëm këtë edicion në ligën e tretë dhe me disa përforcime adekuate, të sigurojmë mbijetesën” – u shpreh Alili, i cili nuk harroi pa përmendur edhe sponzorin gjeneral, kompaninë Goblen të Mahir Qailit, pa të cilin ata sot ndoshta nuk do të mund të realizonin këtë ëndërr.

“Pa dyshim se meritat më të mëdha i ka edhe Mahir Qaili, pronari i kompanisë Goblen, një sponzor mjaft serioz, i cili që 4 vite me rradhë qëndron pas klubit tonë dhe në asnjë moment nuk është dorëzuar në arritjen e qëllimit, inkuadrimin e skuadrës në Ligën e Dytë. Shfrytëzoj rastin ta falënderojë publikisht, pasi kur të gjithë ndoshta i’a kthyen shpinën futbollit në Kumanovë, ai ishte i vetmi që besoi tek ne duke marrë përsipër klubin, ndërsa në fund e gjithë kjo sakrificë na u pagua dhe besoj se këtij suksesi përveç neve si skuadër, i gëzohet edhe çdo kumanovar” – përfundoi Ylber Alili.

Rikujtojmë vitin e kaluar Gobleni edhe pse kishte 9 pikë epërsi ndaj Lokomotivës, dy disfata në 3 ndeshjet e fundit të sezonit bënë që kjo skuadër të mos i gëzohet kualifikimit në Ligën e Dytë që vitin e kaluar, teksa në dy raste kjo skuadër humbi në ndeshjet e balotazhit, edhe atë dy vite më parë nga Akademia Pandev, ndërkohë 4 vite më parë nga Kozhuvi.

Leave a Reply