Shkëndija me 5 mungesa ndaj Skopjes, Ibraimi mungon sërish

Shkëndija sot në kuadër të javës së 34-të në Ligën e Parë  Futbollistike të Maqedonisë në Tetovë do të mirëpret Skopjen, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e trajnerit Qatip  Osmani është favorit absolut bazuar në renditjen momentale, mirëpo nëse u referohemi 10 xhirove të fundit dhe në përgjithësi stinorit pranveror, skuadra nga Autokomanda nuk është për tu nënvlerësuar, ndërsa për këtë më së miri flet edhe barazimi i fundit mes këtyre dy skuadrave në Shkup.

Për më tepër trajneri Osmani në këtë ndeshje nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e  futbollistëve standard, përfshirë këtu edhe goleadorin, Besart Ibraimi. Sulmuesi kërovarë nuk ndjehet 100% i përgatitur, ndërsa për shkak shqetësimeve me lëndime për këtë përballje nuk do të jenë të gatshëm edhe mbrojtësi, Visar Musliu, si dhe mesfushori Enur Totre.

Besmir Bojku gjithashtu nuk do të mund të ndihmojë skuadrën për shkak 5 kartonëve të verdhë, ndërsa Bekim Rexhepi për shkak kartonit të kuq të marrë në ndeshjen ndaj Sileksit në Kratovë.

Leave a Reply