Shkëndija sonte ndaj Pelisterit për hakmarrje, por ndoshta edhe për rekord

Shkëndija sonte po në stadiumin e njëjtë “Mladost”, aty ku vitin e kaluar humbi trofeun e Kupës ndaj Pelisterit, do të kërkojë hakmarrjen, edhe atë ndoshta me kamatë. Skuadra tetovare edhe vitin e kaluar ishte favoritë, mirëpo në fund u mund në ruletin e penaltive nga skuadra e Pelisterit, që duhet pranuar që nuk është ajo e vitit të kaluar.

Skuadra nga Manastiri këtë edicion humbi statusin e skuadrës elitare, ndërsa në anën tjetër Shkëndija u shpall kampion, edhe atë në mënyrë bindëse, me plotë 35 pikë dallim ndaj skuadrës së dytë në renditje, Vardarit.

Ky superioritet i Shkëndijës, të cilin të përzgjehdurit e trajnerit Qatip Osmani e treguan në vazhdimësi gjatë sezonit futbollistik që jemi duke lënë pas, na bënë të besojmë se sonte Shkëndija do të dalë fitues, duke gëzuar në këtë mënyrë edhe FC Shkupin, që si skuadra e katërt në renditje pret vizën për një vend në Liga Europa.

Pikërisht skuadra nga Çairi, e cila më parë garonte me emrin Slloga Jugomagnat, mban edhe rekordin e fitoreve në ndeshjet finale. Në vitin 2000 skuadra “bardhekaltë” midis Prilepit kishte mundur Pobedën me rezultatin 6:0, ndërsa nga një epilog i tillë frikësohet sonte edhe skuadra e dytë nga Pellagonia, e cila me  të njëjtin rezultat kishte pësuar nga Shkëndija në kampionat në ndeshjen e zhvilluar në Manastir.

Mbetet të shihet nëse vërtetë do të ndodh një gjë e tillë, apo ndoshta rekordi i skuadrës nga Çairi do të vazhdojë të qëndrojë në piedestal, ashtu siç qëndron edhe Argjend Beqiri, si futbollisti i vetëm që në ndeshjet finale ka arritur që të  realizojë “hat-trik”.

Ndeshja Shkëndija – Pelisteri starton në ora 20:00.

Leave a Reply