Admir Mehmedi heq dorë nga Kombëtarja e Zvicrës! Nuk udhëton në KB “Rusi 2018”

Përveç Albian Ajetit, pjesë e përfaqësueses së Zvicrës për në Botërorin “Rusi 2018” nuk do të jetë edhe shqiptari nga Gostivari, Admir Mehmedi. Megjithatë për dallim nga rasti i Albian Ajetit, situata rreth Mehmedit është krejt e kundërt.

Sipas “Blick”, gostivarasi Mehmedi ka hequr dorë vullnetarisht nga kombëtarja e Zvicrës.

“Është një vendim i mendjes, jo i zemrës. Thjesht mendoj se e kam të vështirë të sjellë diçka më shumë për ekipin e Zvicrës, veçanërisht në Botëror. Ndaj po e marr këtë vendim që tani, në mënyrë që të mos bllokoj vendin në kombëtare, duke ia lehtësuar punën trajnerit”, – tha 27-vjeçari, Admir Mehmedi, që duket se nuk është rikuperuar në kohë nga dëmtimi i pësuar gjatë muajit mars të këtij viti.

Për herë të fundit Mehmedi gjatë këtij sezoni me ekipin e tij të Volfsburgut kishte luajtur me 10 mars në ndeshjen kundër Hofenhajmit.

Admir Mehmedi gjatë sezonit të sapo përfunduar në Bundesligë me Volfsburgun kishte regjistruar vetëm 17 paraqitje, duke realizuar edhe 3 gola. Ndryshe gjatë karrierës së tij Mehmedi me përfaqësuesen “A” të Zvicrës ka  zhvilluar 58 ndeshje, duke realizuar edhe 7 gola.

Futbollisti me origjinë nga Gostivari i Maqedonisë ka kaluar të gjitha grupmoshat si pjesë e kombëtares “helvetike”, ndërsa momentet e tij më të mira i kishte kaluar me përfaqësuesen U19, për të cilën në 26 ndeshje kishte realizuar 11 gola.

Leave a Reply