Shqipëri-Kosovë, shiten 14 mijë bileta

Kur na ndajnë vetëm pak orë nga ndeshja miqësore Shqipëri-Kosovë, mësohet se deri tani janë shitur 14 mijë bileta nga 22 mijë që janë në dispozicion për këtë përballje.

“Vëllazërorja” do të luhet mbrëmjen e sotme në orën 20:00 në Zvicër. Kombëtarja shqiptare e futbollit pritet të hedhë në fushë një formacion me shumë ndryshime në përballjen miqësore me Kosovën.

Trajneri Kristian Panuçi do të eksperimentojë thuajse në të gjitha repartet. Në portë, Etrit Berisha rikthehet mes shtyllave, ndërsa para gardianit të Atalantës do të jetë Hysaj në të djathtë, Veseli e Xhimshiti në qendër, si dhe Lika në të majtë.

Mesfusha e pritshme e “kuqezinjëve” në stadiumin e Cyrihut do të ketë Ramadanin, Ndojin, Krenar Qakën dhe Odise Roshin.

Sulmi i kombëtares shqiptare do të përbëhet nga Sindrit Guri dhe Sokol Cikalleshi. Zbulimi i këtij sezoni në Kategorinë Superiore do të ketë kështu mundësinë të lërë përshtypje pozitive te stafi teknik, përballë një kundërshtari me nivel të ulët, raporton TCH.

Nëse do të bindë, sulmuesi më i ri i Ostendes mund të vlerësohet me një tjetër fanellë titullari, në miqësoren e dytë ndaj Ukrainës.

Leave a Reply